Shtegu natyror drejt majës së Gurit të Zi

Jeta përreth ujit fillon tek liqeni dhe shtrihet deri në pyjet dhe majat e larta, si kjo e Gurit të Zi. Shtegu natyror që të çon drejt majës së Gurit të Zi në Gjemth, një destinacion i vendosur në krahinën e Mokrës, kalon edhe pranë rezervuarit të Frangovishtës. I gjithë shtegu përshkon pyje të ahut (Fagus sylvatica), por nuk mungojnë edhe lloje të tjera drunore si bredhi i bardhë (Abies alba), arneni (Pinus peuce) dhe robulli (Pinus heldreichii).

Po aq e pasur ishte edhe flora e ulët, ku mund të gjesh specie si shafrani (Crocus sp.), aguliçja (Primula officinalis), salepi (Orchis sp.) dhe boronica (Vaccinium myrtillus), mes shumë të tjerash në lulëzim këtë periudhë.

Ky biodiversitet i pasur e bëri këtë ekspeditë edukative një përvojë të vlefshme për pjesëmarrësit, të cilët patën mundësinë të kuptojnë më mirë funksionimin e habitateve, ndërvarësinë e tyre dhe rëndësinë e ruajtjes dhe bashkëjetesës me speciet në këtë zonë.

Këto aktivitete zhvillohen në kuadër të projektit “Jeta përreth ujit”, pjesë e programit Green-AL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024-2027”, financuar nga Qeveria Suedeze përmes Sida dhe zbatuar nga Co-PLAN në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.

Partnerët tanë: @go2al @discoverpogradec