Punëtoria 3 – “Gratë që respektojnë natyrën” në Drilon, Pogradec

Më 12 tetor, në Drilon, Pogradec, do të zhvillohet Punëtoria 3 – “Gratë që respektojnë natyrën”, në kuadër të projektit “Jeta përreth Ujit”, i cili sjell në vëmendje banorët e dukshëm dhe të fshehur të liqeneve të Ohrit dhe Prespës.

Punëtoria do të fokusohet te lidhja mes praktikave të përditshme, traditës lokale dhe mbrojtjes së natyrës. Gjatë aktivitetit do të diskutohet për mënyrat se si gratë, përmes gatimit, artizanatit dhe përdorimit të bimëve të zonës, mund të kontribuojnë në reduktimin e mbetjeve, ripërdorimin e materialeve, kursimin e burimeve dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe mbledhjes së qëndrueshme të bimëve të egra, duke nxitur përdorimin e tyre pa dëmtuar rigjenerimin natyror, si dhe ruajtjes dhe përcjelljes së dijeve tradicionale nga një brez te tjetri.

Aktiviteti synon të nxisë një komunitet më të informuar dhe të angazhuar në mbrojtjen e ekosistemeve të Ohrit dhe Prespës, të cilat përballen me presione në rritje nga urbanizimi, turizmi sezonal dhe bujqësia.