Punëtoria e praktikave të mira nga GO2 Albania
Në Pogradec zhvilluam një punëtori të dedikuar praktikave të mira në mbrojtjen e biodiversitetit, në kuadër të projektit “Jeta përreth ujit”.
Për këtë aktivitet, ftuam partnerin tonë GO2 Albania nga Shkodra, i cili solli përvojën dhe praktikat e zhvilluara ndër vite në evidentimin dhe mbrojtjen e specieve në ekosistemet ujore.
Përmes prezantimeve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me shembuj konkretë nga terreni dhe të kuptojnë më mirë sfidat që lidhen me ruajtjen e biodiversitetit.
Punëtoria mblodhi një grup të larmishëm pjesëmarrësish, përfshirë nxënës gjimnazi, mësues biologjie, studentë, përfaqësues të komunitetit lokal dhe ekspertë të fushës, duke krijuar një hapësirë të hapur për shkëmbim përvojash dhe njohurish.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe komponenti praktik, ku pjesëmarrësit u përfshinë në krijimin e një herbariumi, si një mënyrë konkrete për të njohur dhe dokumentuar florën vendore.
Një falënderim i veçantë shkon për Aurorën dhe Abdullain, dy ekspertë të apasionuar për speciet e liqenit dhe krijimin e herbariumeve, të cilët ndanë me përkushtim njohuritë dhe përvojën e tyre me pjesëmarrësit.
Përmes këtyre aktiviteteve, synojmë të forcojmë ndërgjegjësimin dhe rolin aktiv të komunitetit në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës me natyrën dhe ruajtjes së ekosistemeve ujore.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Jeta përreth ujit”, në kuadër të programit Green-AL, financuar nga Qeveria Suedeze përmes Sida dhe zbatuar nga Co-PLAN në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV.