ME STIL: Ekspozita dhe Prezantimi i Punimeve Finale
Në kuadër të misionit të projektit ME STIL, i cili synon të ndërgjegjësojë publikun mbi ndikimin e industrisë së fast fashion dhe pasojat e saj mjedisore, sociale dhe kulturore, u zhvillua aktiviteti final përmbyllës i projektit.
Ky event përfaqësoi kulmin e një procesi bashkëpunues dhe krijues, gjatë të cilit studentët eksploruan mënyra të ndryshme për të komunikuar dhe adresuar problematikat që lidhen me konsumin e shpejtë të modës. Si rezultat i këtij procesi, u prezantua një instalacion konceptual, i menduar si një ndërhyrje artistike dhe reflektuese në hapësirën publike të qytetit të Tiranës, me qëllim nxitjen e dialogut dhe ndërgjegjësimit qytetar mbi këtë fenomen.
Gjatë aktivitetit u ekspozuan gjithashtu 20 posterë finalë, të realizuar nga studentët pjesëmarrës, të cilët përmes gjuhëve të ndryshme vizuale trajtojnë ndikimin e fast fashion, kulturën e konsumit dhe nevojën për alternativa më të qëndrueshme.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm i projektit ishte realizimi i një booklet-i përmbledhës, që dokumenton tre workshop-et e zhvilluara, procesin e punës, diskutimet kryesore dhe punimet finale të studentëve. Publikimi shërben si një arkiv i përvojës së projektit dhe si një mjet për të vazhduar shpërndarjen e mesazheve dhe njohurive të krijuara gjatë tij.
Përmes këtyre rezultateve, ME STIL synon të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi kostot e fshehura të fast fashion dhe të inkurajojë qasje më të përgjegjshme, të vetëdijshme dhe të qëndrueshme ndaj veshjes dhe konsumit.