Shteg i edukimit në natyrë – Gadishulli i Linit
Vijojmë me aktivitetet e projektit “Jeta përreth ujit”, këtë herë përgjatë shtegut natyror të Gadishullit të Linit, një prej peizazheve më karakteristike të liqenit dhe një habitat me vlera të jashtëzakonshme ekologjike.
Gjatë ecjes patëm mundësinë të eksplorojmë më nga afër biodiversitetin e zonës, nga bimësia karakteristike mesdhetare deri te mikrohabitatet që krijohen midis shkëmbinjve dhe vijës ujore. Shpjeguam rëndësinë e këtyre habitateve dhe njohëm disa prej specieve të egra që shoqërojnë këtë peizazh:
• Lisi i dushkut (Quercus sp.) – simbol i pyjeve tona gjetherënëse, që luajnë rol kyç në stabilizimin e tokës dhe mbajtjen e lagështisë.
• Dëllinja e zezë (Juniperus oxycedrus) – specie aromatike mesdhetare me vlera të mëdha ekologjike dhe mjekësore, që rritet në terrene shkëmbore dhe të thata.
• Ciklamini i egër (Cyclamen sp.) – një nga lulet më delikate të stinës, që zbukuron pyllin me petalet e tij rozë-vjollcë.
• Trëndafili i egër (Rosa canina) – një burim natyror vitaminash dhe pjesë e rëndësishme e zinxhirit ushqimor për faunën e zonës.
• Bimësi ligatinore dhe shkurrore që mbështesin jetën e shumë shpendëve dhe insekteve përgjatë bregut të liqenit.
Ky shteg ishte një mundësi për t’i afruar të rinjtë dhe komunitetin me natyrën, duke i njohur me vlerat e biodiversitetit vendor dhe me rolin që këto ekosisteme luajnë në ruajtjen e balancës mjedisore të Liqenit të Ohrit.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Jeta përreth ujit”, pjesë e programit Green-AL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024–2027”, financuar nga Qeveria Suedeze përmes Sida dhe zbatuar nga Co-PLAN në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.
Partnerët tanë: @go2al @discoverpogradec